Sot me datë 26.03.2021, në hapësirat e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, u mbajt takimi ndërmjet përfaqësuesve të MZHR-së dhe GIZ-it, me qëllim të konkretizimit të temave dhe disajnimit të marrëveshjes së bashkëpunimit për të ardhmen.
Në takim nga MZHR morën pjesë Zv. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së z. Besim Kamberaj dhe Drejtori i Departamentit për Planifikim dhe Analiza Socio – Ekonomike Rajonale z. Blerim Hasani. Ndërsa, nga GIZ, pjesëmarrës ishin: z. Avni Sfishta, Menaxher i Projektit “Shërbime të Qëndrueshme Komunale” , znj. Vjollca Behluli dhe Drita Binaj, Këshilltare në Projekt.
Përfaqësuesit nga të dyja palët, diskutuan rezultatet e diskutimeve të takimeve të kaluara, temat për të cilat kryesisht janë dakorduar për bashkëpunim në vitin 2021, si dhe aktivitetet e planifikuara për një periudhë më afatgjatë 2022 – 2024. Temat e diskutuara, ishin: bashkëpunimi në ndërtimin e sistemit të përformancës rajonale, ofrimin e përkrahjes teknike/profesionale nga GIZ për MZHR-në në kuptim të zhvillimit të politikave dhe legjislacionit në fushën e zhvillimit rajonal, si dhe disajnimin e skemave të përbashkëta MZHR –GIZ, përkrahjen e komunave në trajtimin dhe menaxhimin e mbeturinave.
Në fund, meqenëse tashmë palët u dakorduan për fushat dhe temat e bashkëpunimit, të njëjtit u dakorduan që shumë shpejt të mbajnë takimin e radhës me qëllim të finalizimit të marrëveshjes së bashkëpunimit.