logo

Ministri i Zhvillimit Rajonal z. Rasim Demiri me delegacionin e MZHR-së është në një vizitë zyrtare në Republikën e Malit të Zi ku sot është takuar me zëvendëskryeministrin e Malit të Zi z.Rafet Husoviq

Delegacioni i Ministrisë për Zhvillim Rajonal të Republikës së Kosovës në krye me Ministrin, Z. Rasim Demiri, Zv. Ministrin Z. Musa Cena dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Z. Fatos Qerimi u takuan sot me nënkryetarin e Qeverise të Malit të Zi, Z. Rafet Husoviq.

Z. Husoviq e informoi Ministrin Demiri me situatën e tanishme politike dhe ekonomike në Mal të Zi. Ai gjithashtu i informoi delegacionin e Kosovës me kuadrin ligjor në lidhje me politikën e zhvillimit rajonal në Mal të Zi, si dhe me strategjinë e miratuar të zhvillimit rajonal dhe planet e veprimit për monitorimin e zbatimit të strategjisë. Krijimi i këtyre politikave i ka mundësuar Malit të Zi të ketë investime të konsiderueshme në infrastrukturë dhe projekte zhvillimore, kryesisht në veri të Malit të Zi.

Ministri Demiri falenderoi për pritjen dhe potencoi që Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie shumë të mira bashkëpunimi, gjithashtu e njoftoi se Ministria e Zhvillimit Rajonal në Kosovë është Ministri e re në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe formimi i kësaj ministrie rezultoi nga nevoja reale për një zhvillim të rajoneve në Kosovë. Ministri Demiri e njoftoi zëvendëskryeministrin Husoviq për organizimin dhe mënyrën e punës së ministrisë, si dhe rezultatet e arritura.

Bashkëbiseduesit ranë dakord që në periudhën e ardhshme, një theks i veçantë duhet t’i kushtohet bashkëpunimit të dy vendeve në fushën e zhvillimit rajonal.

Në takim pjesëmarrës ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Malin e Zi, Skender Durmishi.