Çmimi Mjedisor për Shkolla "Dervish Rozhaja" 2024, i themeluar në kuadër të projektit “Ndikimi i Rinisë në Mjedis” (YENI), u nda sot për tri shkolla të mesme të larta publike të cilat u vlerësuan nga një juri profesionale pesë-anëtarëshe. Ky çmim, i ndarë për herë të dytë, do të investohet në projekte mjedisore përbrenda shkollave fituese në Kosovë.
Në këtë garë mjedisore tejet interesante dhe konkurruese, të drejtë aplikimi kishin të gjitha Eko Klubet e shkollave të mesme të larta publike të Kosovës. Finalistë për prezentimin e projekteve të tyre inovative para audiencës së gjerë u përzgjedhën pesë (5) Eko Klube, prej të cilave u përzgjedhën tri projektet me ndikimin pozitiv më të lartë në mjedis dhe në zbutjen e ndryshimeve klimatike.
Fituesit janë si më poshtë:
• Çmimi i parë: Eko Klubi nga shkolla e mesme “Bahri Haxha” në Vushtrri.
• Çmimi i dytë: Eko Klubi nga shkolla e mesme “Lasgush Poradeci” në Malishevë.
• Çmimi i tretë: Eko Klubi nga shkolla e mesme “Jovan Cviijć ” në Shtërpce.
Në një fjalë rasti, Sekretari i Përgjithshëm nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZhR), z. Besim Kamberaj, shprehu mirënjohje për vazhdimin e kësaj iniciative dhe për angazhimin e lartë të shkollave dhe Eko Klubeve. "Ne jemi të kënaqur me ndikimin e rëndësishëm të këtyre projekteve dhe të propozimeve konkrete nga Eko Klubet," tha ai. Zj. Beate Katja Elsasser, Drejtoreshë e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), theksoi: "Ky çmim vlerëson të rinjtë si fuqi për ndryshim në shoqëri. Duam të fuqizojmë brezat e rinj që të fokusohen në iniciativa mjedisore dhe klimatike duke treguar përgjegjshmëri shoqërore."
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Universitetit të Prishtinës, Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Caritas-i Zviceran në Kosovë, zyrtarë nga Komunat, familjarë të akademikut Dervish Rozhaja, Eko Klubet finaliste bashke me profesorët dhe menaxhmentin e shkollës, si dhe organizatat joqeveritare partnere nga rajonet e ndryshme.
Projekti YENI synon të fuqizojë të rinjtë e Kosovës për të vepruar në çështjet mjedisore dhe ndryshimet klimatike, duke inkurajuar një qëndrim më të përgjegjshëm dhe proaktiv. Ky projekt zbatohet nga Caritas-i Zviceran në Kosovë, me bashkëfinancim nga Caritas-i Zviceran, Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).