Sot më datë 03 qershor 2025, Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal z. Fikrim Damka, zhvilloi një vizitë pune në Komunën e Dragashit, ku u prit nga Kryetari i Komunës, z. Bexhet Xheladini.
Gjatë vizitës, Ministri Damka u shoqërua nga Zëvendësministri z. Elldin Uglari, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal z. Besim Kamberaj, Drejtori i DPKZHR z. Ylber Çitaku dhe përfaqësues të tjerë nga MZHR.
Në takim u diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë dhe Komunës së Dragashit, me theks të veçantë në projektet zhvillimore që synojnë përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe ngritjen e cilësisë së jetës për qytetarët e komunës. Për më tepër, u bisedua për sfidat e hasura në zbatimin e projekteve ekzistuese dhe për hapat e ardhshëm që do të ndërmerren për realizimin e suksesshëm të tyre.
Pas takimit zyrtar, delegacioni vizitoi disa prej lokacioneve ku planifikohen ose janë në proces zhvillimi projekte infrastrukturore, me qëllim vlerësimin nga afër të situatës në terren.
Kjo vizitë shpreh angazhimin e vazhdueshëm të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për të mbështetur komunat në tërë territorin e vendit, duke siguruar bashkëpunim të ngushtë për zhvillim socio-ekonomik të qëndrueshëm.