Zëvendësministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, z. Elldin Uglari, më datë 13.06.2025, ka nënshkruar marrëveshjet e mirëkuptimit me komunat përfituese të Mitrovicës së Jugut, Shtimes, Dragashit, Prizrenit, Mamushës dhe Podujevës, në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal PZHRB 2025-27 Masa 1 (Faza 1).
Ky program ka për qëllim mbështetje për projekte të investimeve kapitale, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të këtyre komunave dhe përmirësimin e infrastrukturës, shërbimeve dhe kushteve të jetesës për qytetarët.
Përmbledhje e projekteve të nënshkruara:
Mitrovica e Jugut: “Renovimi i Stacionit të Autobusëve”, një projekt që ka për qëllim modernizimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kushteve për udhëtarët.
Shtime: “Ndërtimi i Tregut të Hapurisë në Qytetin e Shtimes – Faza e III-të”, që do të sjellë zhvillim të mëtejshëm të tregut dhe do të kontribuoni në rritjen e mundësive ekonomike për tregtarët dhe fermerët lokalë.
Dragash: “Riparimi i rrugës dhe amfiteatrit të hapur në Bellobrad, rehabilitimi i rrugëve pas vërshimeve në Kosavë, si dhe ndërtimi i murit mbrojtës të varrezave të komunitetit jo shumicë në Dragash”. Ky projekt ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës dhe sigurinë e jetesës për qytetarët e Dragashit.
Prizren: “Zhvillimi i Shtigjeve për Turizëm, Kulturë dhe Rekreacion në Kalanë e Prizrenit”. Ky projekt do të forcojë potencialin turistik të Prizrenit dhe do të sjellë një rritje të vizitorëve, si dhe do të ruajë trashëgiminë kulturore të qytetit.
Mamushë: “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës – Faza II”. Ky projekt do të krijojë hapësira të reja për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe do të kontribuoni në pasurimin e jetës kulturore të komunitetit.
Podujevë: “Ndërtimi I sallës së sporteve në fshatin Gllamnik” Ky projekt ka për qëllim ndërtimin e një salle moderne sporti, që do të shërbejë për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe kulturorë për komunitetin lokal.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, kryetarët e komunave përfituese shprehën falënderimet më të sinqerta për Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe për mbështetje dhe mundësinë e krijuar për realizimin e projekteve që do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin socio-ekonomike rajonal.