U mbajt takimi i Grupit Punues për prezantimin e draftit final të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030. Ministria e Zhvillimit Rajonal(MZHR) në bashkëpunim me Institutin Kosovarë për Qeverisje Lokale(KLGI) organizoi punëtorinë e radhës për kompletimin e Draftit të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020-2030.
Takimi kishte për synim diskutimin dhe kompletimin e objektivave strategjike që duhet të vendosen në këtë dokument strategjik me fokus te plani i veprimit, pasaporta e treguesve dhe kostoja e strategjisë.
Strategjia e Zhvillimit Rajonal 2020-2030, përcakton qëllimet dhe prioritetet afatgjata për zhvillim rajonal, si dhe i jep hapësirë koordinimit të politikave, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve. Ky dokument do të shërbejë si udhëzues i zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal, dhe njëkohësisht mundëson ndërmarrje e iniciativave për implementimin e projekteve të përbashkëta zhvillimore. Njëherësh luan rol të rëndësishëm për arritjen e qëllimeve dhe prioriteteve për zhvillim rajonal nëpërmjet politikave dhe strategjive sektoriale, të cilat kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të rajoneve.
Për më tepër, zhvillimi rajonal i balancuar ka si qëllim të mundësojë një kornizë të qartë se si të arrihet përmirësim i qëndrueshëm e domethënës për komunitetet lokale, duke nxitur aktivitetet ekonomike dhe promovuar një mjedis ekonomik rajonal më atraktiv. Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Komuna më të Forta dhe me të Qëndrueshme (SSSM)” i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë.