Më datë 16.05.2025, Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka, realizoi vizitë në Komunën e Gjakovës, ku u prit nga Kryetari i Komunës, z. Ardian Gjini.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi rreth bashkëpunimit ndërinstitucional dhe projekteve të përbashkëta në funksion të zhvillimit rajonal të qëndrueshëm, me theks të veçantë në projektin “Stacioni i Autobusëve”, që po zbatohet me mbështetjen e MZHR-së dhe Komunës së Gjakovës, e që synon përmirësimin e infrastrukturës për transportin publik dhe shërbimet për qytetarët.
Palët diskutuan për ecurinë e punimeve, sfidat e hasura gjatë implementimit dhe hapat e mëtejmë për finalizimin me sukses të projektit. Gjatë takimit u trajtuan edhe mundësitë për projekte të reja të përbashkëta në të ardhmen, me qëllim thellimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e vazhdueshme të Komunës së Gjakovës nga MZHR.
Pas takimit, Ministri z. Fikrim Damka së bashku me Zëvendësministrin z. Ali Tafarshiku, Drejtorin e DPKZHR-së z. Ylber Çitaku, si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, realizuan një vizitë në terren në projektin “Stacioni i Autobusëve”. Gjatë vizitës, ata u pritën nga Kryeshefi i Stacionit, z. Agron Hoxha, dhe u informuan nga afër për progresin e punimeve dhe fazat e ardhshme të projektit.