Tiranë, 26 qershor 2025 — Një delegacion nga Ministria e Zhvillimit Rajonal e Republikës së Kosovës zhvilloi një vizitë zyrtare në ambientet e Fondit Shqiptar për Zhvillim në Tiranë, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit rajonal dhe investimeve strategjike.
Delegacioni i MZHR-së kryesohej nga Zëvendësministri z. Elldin Uglari dhe përbëhej nga znj. Arta Ahmeti-Xhylani, Drejtoreshë e Departamentit për Shërbime të Përgjithshme, znj. Kreshnike Arifi, Udhëheqëse e Divizionit për Koordinim të Zhvillimit Rajonal, dhe znj. Gresa Gashi, Zyrtare e Lartë për Nisma Rajonale.
Gjatë takimit me përfaqësuesit e Fondit Shqiptar për Zhvillim, u diskutua mbi modelet e planifikimit dhe financimit të projekteve zhvillimore, si dhe mbi praktikat e suksesshme të zbatimit të politikave për zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës. Palët ndanë përvoja konkrete mbi sfidat dhe mundësitë për realizimin e projekteve në nivel vendor, duke vënë theksin në rëndësinë e bashkëpunimit dhe zhvillimit të balancuar rajonal.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve homologe, me synimin për të krijuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe për të nxitur projekte të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të të dy vendeve.