Më 15-16 tetor 2025, Agjencia për Zhvillim Rajonal Qendër, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, organizoi në Prishtinë trajnim për zyrtarët komunalë në kuadër të projektit “Forcimi i Kapaciteteve Lokale për një Ekonomi të Qëndrueshme”.
Ky trajnim kishte për qëllim zhvillimin e aftësive profesionale dhe menaxheriale të përshtatura me nevojat aktuale të tregut të punës. Gjatë punëtorisë u trajtuan tema kyçe, si: gjendja aktuale e fuqisë punëtore dhe nevojat e tregut të punës, roli i komunave në zhvillimin e aftësive profesionale, modelet e suksesshme të trajnimeve profesionale në nivel lokal, trajnimet menaxheriale për përmirësimin e kapaciteteve komunale, si dhe identifikimi i nevojave lokale për trajnim.
Në punëtori, përveç përfaqësuesve të AZHR Qendër, mori pjesë edhe eksperti i fushës, z. Gent Sejdiu, i cili përmes diskutimeve interaktive me përfaqësuesit e komunave të këtij regjioni prezantoi shembuj konkretë nga komuna të ndryshme të Kosovës, si modele të shkëmbimit të përvojave dhe avancimit në temat e trajtuara.
Në cilësinë e monitoruesit nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, në këtë aktivitet mori pjesë z. Shani Hamitaga, Udhëheqës i Divizionit për Nisma Rajonale në MZHR.