Me datë 30 dhe 31 tetor 2025, filloi punimet Kongresi i IV Ndërkombëtar për Financa, Ekonomi dhe Politika të Qëndrueshme (ICOFESP), organizuar nga Universiteti ‘’Kirklareli’’ -Turqi në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR).
Ky kongres ndërkombëtar ka për synim forcimin e shkëmbimit akademik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në fushat e zhvillimit ekonomik global, stabilitetit financiar dhe politikave të qëndrueshme, duke kontribuar në krijimin e modeleve të reja për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje gjithëpërfshirëse.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë përfaqësues të institucioneve publike, akademike dhe diplomatike nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të rajonit.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka theksoi rëndësinë që ka bashkëpunimi institucional dhe akademik për avancimin e zhvillimit rajonal, duke theksuar se vetëm përmes koordinimit të dijes, inovacionit dhe politikave të qëndrueshme mund të arrihet zhvillim i balancuar ekonomik dhe social.
Në hapje të konferencës, fjalë përshëndetëse mbajti edhe Ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Sabri Tunç Angılı, i cili përgëzoi organizatorët për këtë nismë të rëndësishme dhe nënvizoi marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në fushën e zhvillimit ekonomik, arsimit dhe kërkimit shkencor.
Po ashtu, me fjalë rasti u paraqitën edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, Rektorja e Universitetit Kirklareli, Prof. Dr. Rengin Ak, Prof.Dr. Jusuf Zejneli, Rektor i Universitetit të Tetovës, Prof.Dr.Nurten Deva, Rektore e Universitetit të Mitrovicës ‘’Isa Boletini’’, Prof. Dr Kenan Peker – Rektor i Universitetit “Munzur”, Prof.Dr. Ali Güneş, Rektor dhe Prof. i Asc. Juna Miluka, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë dhe Biznesit në Universitetin e New York-ut në Tiranë.
Kongresi vazhdoi punimet me diskutime në panelin që përbënte pjesën kryesore të ditës së parë i organizuar nga MZHR me temën’’Zhvillimi Rajonal dhe Qëndrueshmëria Ekonomike në Kosovë’’
Paneli u moderua nga Dr. Refike Sülçevsi, U.D Sekretare e përgjithshme në MZHR, ndërsa panelistë ishin z. Agim Zeka, Drejtor i Agjensionit AZHR-Lindje, z. Ylber Çitaku, Drejtor i DPKZHR, Prof.Dr.Sokol Krasniqi, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Ferizaj dhe z. Fisnik Reçica, Drejtor i zyrës së Swisscontact në Kosovë, të cilët ritheksuan rëndësinë e zhvillimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërmjet universiteteve dhe institucioneve publike.
Gjatë dy ditëve të punimeve, pjesëmarrës nga fusha të ndryshme akademike do të prezantojnë punime shkencore dhe analiza që trajtojnë tema të rëndësishme si zhvillimi rajonal, inovacioni, qëndrueshmëria ekonomike dhe mjedisore, si dhe politikat e integrimit rajonal.
 
                            



