Me datë 5 deri më 9 nëntor 2025, Agjencia për Zhvillim Rajonal Veri, me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, organizoi në Mitrovicë Panairin e Bizneseve Artizanale dhe Ushqimore për gratë nga rajoni i Mitrovicës së Jugut.
Qëllimi i panairit ishte mbështetja dhe fuqizimi ekonomik i grave përmes:
· prezantimit të teknikave artizanale dhe produkteve autoktone,
· ekspozimit të produkteve artizanale e ushqimore,
· nxitjes së ndërveprimit ndërmjet vizitorëve, prodhuesve dhe institucioneve,
· promovimit të bizneseve lokale pjesëmarrëse.
Panairi u zhvillua në kuadër të projektit “Promovimi i Zhvillimit të Balancuar Rajonal përmes Aktivizimit Ekonomik dhe Komunitar në Rajonin Veri”, i implementuar nga AZHR Veri me mbështetjen e MZHR-së.
Në hapjen e panairit, përpos përfaqësuesve nga AZHR Veri, morën pjesë edhe: z. Elvis Feka, Drejtor për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe z. Shani Hamitaga, Udhëheqës i Divizionit për Nisma Rajonale në MZHR, në cilësinë e monitoruesit.

