Sot më datë 22 janar 2026, Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal z. Fikrim Damka, i shoqëruar nga U.D. Sekretarja e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, znj. Refike Sülçevsi, zhvilluan një takim gjithëpërfshirës me Shefen e Misionit të IOM-it në Kosovë, znj. Anna Rostocka, si dhe me Zyrtaren për Mbështetje të Programeve, znj. Yevgeniya Yurchuk.
Gjatë takimit u diskutuan dhe u përcaktuan fushat e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM), me fokus të veçantë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të qëndrueshme rajonale. Po ashtu, u hodhën themelet për projekte të përbashkëta në të ardhmen, përfshirë edhe mundësitë e financimit përmes fondeve IPA të Bashkimit Evropian.
Ky takim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt adresimit të pabarazive rajonale, nxitjes së zhvillimit të balancuar ndërmjet rajoneve dhe zbatimit të projekteve zhvillimore në përputhje me standardet evropiane, në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.