Ministria e Zhvillimit Rajonal u themelua në vitin 2017 dhe është operacionale prej vitit 2018, si një institucion i dedikuar për të adresuar sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të balancuar socio – ekonomik rajonal në Kosovë. Krijimi i saj ishte rezultat i përpjekjeve për të promovuar politika gjithëpërfshirëse që reduktojnë pabarazitë midis rajoneve dhe nxisin zhvillimin e qëndrueshëm. Në fillimet e saj, ministria u fokusua në hartimin e politikave shtetërore dhe krijimin e mekanizmave institucionalë për zhvillim rajonal. Ajo luajti një rol të rëndësishëm në inicimin e projekteve për zhvillim ekonomik dhe përmirësimin e infrastrukturës në rajone të ndryshme.
Gatë viteve, Ministria e Zhvillimit Rajonal ka zgjeruar fushëveprimtarinë e saj për të përfshirë analiza të zhvillimit rajonal, mbështetje për sektorin privat dhe promovimin e politikave që kontribuojnë në rritjen e harmonizuar të të gjitha rajoneve. Përmes bashkëpunimit me komunat dhe partnerët ndërkombëtarë, ministria ka përqëndruar projektet e saj në zhvillimin e projekteve strategjike dhe nxitjen e mundësive të barabarta për qytetarët.
Sot, Ministria e Zhvillimit Rajonal është një shtyllë qendrore në qeverisjen e Kosovës, duke siguruar që zhvillimi i vendit të jetë gjithëpërfshirës, i qëndrueshëm dhe i orientuar drejt rritjes socio – ekonomike në të gjitha rajonet.