Përfaqësuesit e MZHR-së, u pritën nga përfaqësuesit e dy komunave, konkretisht përfaqësuesit e drejtorive për zhvillim ekonomik dhe të asaj për kulturë rini dhe sport. Temat e diskutimit ishin: nxitja e komunikimit të komunave brenda rajoneve zhvillimore me qëllim të identifikimit të ideve dhe projekteve të përbashkëta me impakt ekonomik rajonal dhe koordinimit të aktiviteteve në fushën e zhvillimit rajonal, me qëllim të avancimit të zhvillimit socio – ekonomik rajonal të balancuar. Mbi bazën e kësaj, MZHR ka përgatitur dhe aprovuar një Plan të realizimit të vizitave në komuna, ku si fazë e parë ka evidentuar realizimin e vizitave tek dy (2) komunat me të mëdha të secilit rajon zhvillimor, e pastaj përmes realizimit edhe të fazave tjera, realizimin e vizitave edhe në komunat më të vogla.
Përfaqësuesit e MZHR-së, prezantuan mandatin dhe politikat strategjike të cilat MZHR është në proces të zhvillimit, si dhe programet që MZHR i realizon ne përkrahje të komunave dhe bizneseve në kuadër të zhvillimit rajonal të balancuar ndërmjet pesë (5) rajoneve zhvillimore. Në këtë kuadër, nga bashkëpunimi që MZHR ka me UNICEF-in, përfaqësuesit e MZHR-së prezantuan edhe dy programe të UNICEF-it për përkrahje të rinisë dhe kërkuan pajtimin e komunave në fjalë për konkretizimin e bashkëpunimit në këtë fushë: UNICEF – MZHR – Komunë.
Nga diskutimet që u realizuan ndërmjet MZHR-së dhe përfaqësuesve të dy komunave, u evidentuan një mori e temave dhe aktiviteteve konkrete të cilat mund të realizohen përmes bashkëpunimit të komunave të rajonit zhvillimor Qendër, qoftë në aspekt të zhvillimit të turizmit, kulturës dhe avancimit të infrastrukturës publike, e të cilat hyjnë në funksion të avancimit të zhvillimit rajonal të balancuar.
MZHR dhe përfaqësuesit e dy komunave në fjalë të rajonit zhvillimor Qendër, u dakorduan për vazhdimin e komunikimit qoftë edhe me përfshirjen e më shumë komunave të këtij rajoni, me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimeve konkrete të cilat kontribuojnë në zhvillimin socio – ekonomik të këtij rajoni zhvillimor.

