Sot më datë 16 prill 2026 – Ministri i Zhvillimit Rajonal z. Rasim Demiri, priti sot në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Republikën e Kosovës z. Jonathan Hargreaves.
Gjatë takimit Ministri z. Demiri dhe Ambasadori z. Hargreaves diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke vënë theks të veçantë në zhvillimin rajonal, përkrahjen e projekteve zhvillimore dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Ministri z. Demiri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik dhe fuqizimit të institucioneve. Ai theksoi rëndësinë e vazhdimit të këtij bashkëpunimi për realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve.
Nga ana e tij, Ambasadori z. Hargreaves vlerësoi angazhimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur Republikën e Kosovës në avancimin e proceseve zhvillimore dhe në fuqizimin e partneritetit dypalësh.
Palët ritheksuan përkushtimin për të thelluar bashkëpunimin dhe për të avancuar iniciativa konkrete që kontribuojnë në zhvillimin rajonal dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.