Ministri në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) z.Rasim Demiri, priti sot në një takim Ministrin Samir Shibonjiç, Ministër i Ekonomisë i Kantonit Zenicë-Doboj (ZDK) Bosnjë dhe Hercegovinë i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.
Gjatë takimit, Ministri z.Demiri e njoftoi Ministrin z. Shibonjiç me misionin dhe historikun e MZHR-së, që nga themelimi i saj e deri më sot, duke prezantuar programet kryesore të ministrisë dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e komunave, mbështetjen e bizneseve dhe fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.
Nga ana e tij, Ministri z. Shibonjiç falënderoi për mikpritjen dhe prezantoi rolin dhe prioritetet e ministrisë që ai udhëheq. Ai theksoi mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy ministrive, veçanërisht në fushat që mund të kontribuojnë në zhvillimin rajonal dhe forcimin e lidhjeve ekonomike e institucionale.
Ministri Shibonjiç përmes Ministrit Demiri, shprehu falënderimin e tij për Kryeministrin e Kosovës z.Albin Kurti, për vendimin lidhur me heqjen e vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Po ashtu, ai vlerësoi punën dhe angazhimin e Ministrit Demiri, veçanërisht kontributin e tij në avancimin e mirëqenies dhe interesave të komunitetit boshnjak në Kosovë.
Ministri z.Demiri në këtë takim u shoqërua nga Zëvendësministri i Parë i MZHR-së z. Ali Dula, si dhe Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të MZHR-së z. Ylber Çitaku.
Takimi u zhvillua në frymë miqësore dhe konstruktive, me gatishmëri të ndërsjellë për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët dhe me ndikim në zhvillimin rajonal.






