Sot më datë 03.09.2026, Zëvendësministri i parë në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZhR), z. Ali Dula, realizoi vizitë zyrtare në Komunën e Shtimes, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përcjelljes nga afër të zbatimit të projekteve kapitale që realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe Komunës.
Gjatë vizitës, zëvendësministri z.Dula u prit nga kryetari i Komunës së Shtimes, z. Qemajl Aliu.Në kuadër të takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, rëndësinë e koordinimit institucional, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin socioekonomik.
Pas takimit në Komunë, përfaqësuesit institucionalë vizituan nga afër projektin kapital Tregun e Gjelbër i cili realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Komunës së Shtimes.
Gjatë vizitës në terren, palët u njoftuan me ecurinë e realizimit të projektit dhe diskutuan për rëndësinë e përfundimit të tij. U theksua se investimet kanë rëndësi të veçantë për krijimin e kushteve më të mira për komunitetin dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik në nivel lokal.
Zëvendësministri i parë, z. Ali Dula, ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vazhdimin e bashkëpunimit me komunat dhe mbështetjen e projekteve kapitale që adresojnë nevojat konkrete të qytetarëve dhe kontribuojnë në zhvillimin rajonal të balancuar.
Vizita u përmbyll me gatishmërinë e përbashkët për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin lokal dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Shtimes.