Zëvendësministri në detyrë i MZHR-së, Z. Bashkim Krasniqi mori pjesë në tryezën Agjenda e Gjelbër – domosdoshmëri dhe mundësi për një zhvillim më të qëndrueshëm të rajoneve

Në Gjilan u zhvillua sot tryeza e diskutimit me temën “Agjenda e Gjelbër – sfidat dhe të arriturat në rajonet Lindje dhe Juglindje”, e organizuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal – Lindje (AZHR Lindje), në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunave të rajoneve Lindje dhe Juglindje, institucioneve, organizatave të shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës.

Takimin e hapi drejtori i AZHR Lindje, z. Agim Zeka, i cili përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi pjesëmarrësit për kontributin dhe angazhimin në trajtimin e kësaj teme me rëndësi për zhvillimin e qëndrueshëm rajonal.

Në fjalën e tij, Zëvendësministri në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Bashkim Krasniqi, theksoi rëndësinë strategjike të Agjendës së Gjelbër për zhvillimin ekonomik dhe rajonal të vendit.

“Agjenda e Gjelbër nuk është vetëm një koncept abstrakt apo një trend global, por një domosdoshmëri, një udhërrëfyes për të ardhmen tonë dhe një mundësi për ta transformuar ekonominë tonë në një mënyrë më të qëndrueshme dhe miqësore me mjedisin”, u shpreh z. Krasniqi. Ai nënvizoi se realizimi i objektivave të Agjendës së Gjelbër kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet nivelit qendror, pushtetit lokal, shoqërisë civile dhe sektorit privat, duke theksuar rëndësinë e rolit të Agjencive për Zhvillim Rajonal në këtë proces.

Zëvendësministri në detyrë Krasniqi vlerësoi se sfidat në rrugën drejt një ekonomie të gjelbër janë të shumta, por njëkohësisht janë të mëdha edhe mundësitë për zhvillim. Në këtë drejtim, ai veçoi nevojën për investime në teknologji të pastra, menaxhim më efikas të burimeve, edukim mjedisor dhe politika që nxisin inovacionin dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Ai theksoi gjithashtu përkushtimin e MZHR-së për të vazhduar mbështetjen e projekteve dhe iniciativave që synojnë zbatimin e Agjendës së Gjelbër në nivel lokal dhe rajonal, me qëllim krijimin e kushteve për një zhvillim më të qëndrueshëm dhe një mjedis më të pastër për qytetarët.

Në këtë kuadër, U.D. i Sekretarit të Përgjithshëm të MZHR-së, z. Ylber Çitaku, vlerësoi se zbatimi i Agjendës së Gjelbër kërkon një qasje të koordinuar dhe angazhim të përbashkët të të gjithë aktorëve relevantë. Ai theksoi veçanërisht rolin e Agjencive për Zhvillim Rajonal në lehtësimin e bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe lokal.

Në tryezë u fokusua në tri çështje kryesore:

Identifikimi i sfidave specifike me të cilat përballen rajonet Lindje dhe Juglindje në zbatimin e Agjendës së Gjelbër;

Ndarja e përvojave të suksesshme dhe praktikave të mira nga ekspertët dhe organizatat partnere;

Krijimi i një dialogu të hapur dhe bashkëpunues për zhvillimin e politikave dhe projekteve të qëndrueshme.

Gjatë punimeve, ekspertët znj. Rinora Gojani dhe z. Elvis Ndreka nga CoPLAN, prezantuan perspektivat dhe përvojat e tyre, duke ofruar rekomandime dhe udhëzime konkrete lidhur me tranzicionin e gjelbër, politikat klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Në aktivitet mori pjesë edhe z. Hashim Ibishi, zyrtar monitorues i MZHR-së, i cili kontribuoi në diskutimet e zhvilluara gjatë tryezës.

Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet e përkushtuar për të mbështetur iniciativat dhe projektet që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm, tranzicionin e gjelbër dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, në funksion të një të ardhmeje më të pastër, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme për qytetarët e Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors