MZHR zhvillon vizitë studimore në Bashkinë e Shkodrës për shkëmbimin e praktikave në kuadër të Agjendës së Gjelbër

Shkodër, 23 shtator 2026 – Një delegacion i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, i kryesuar nga Zëvendësministri z. Bashkim Krasniqi, me pjesëmarrjen e U.D. Sekretarit të Përgjithshëm z. Ylber Çitaku, Shefit të Kabinetit të Ministrit z. Izet Velija, Këshilltarit Politik të Ministrit z. Rejhan Elezi, U.D. Drejtorit të DPKZHR-së z. Kreshnik Uka dhe U.D. Udhëheqësit të Divizionit për Bashkëpunim Rajonal z. Hashim Ibishi, zhvilloi sot një vizitë studimore në Bashkinë e Shkodrës, me ftesë të Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Lindje (AZHR Lindje), në kuadër të projekt-propozimit “Agjenda e Gjelbër”, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm vendor dhe zbatimit të projekteve në kuadër të Agjendës së Gjelbër.

Delegacioni i MZHR-së u prit nga përfaqësues të Bashkisë së Shkodrës, të udhëhequr nga Zëvendëskryetari i Bashkisë, z. Bekim Mema, si dhe Drejtorë të Drejtorive të Bashkisë Shkodër dhe zyrtarë të fushave të mjedisit, energjisë së rinovueshme, planifikimit strategjik, klimës së biznesit, turizmit dhe planifikimit territorial.

Gjatë takimit institucional u diskutua për planifikimin dhe zbatimin e projekteve në kuadër të Agjendës së Gjelbër, me theks të veçantë në praktikat e Bashkisë së Shkodrës në planifikimin strategjik dhe zhvillimin vendor, si dhe në përvojat konkrete të zbatimit të projekteve dhe nismave që ndërthurin zhvillimin ekonomik, turistik dhe mjedisor.

Zëvendësministri Bashkim Krasniqi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkufitar në përballimin e sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht në fushën e teknologjive të pastra, menaxhimit të qëndrueshëm të mbetjeve dhe burimeve ujore, ekonomisë qarkulluese dhe edukimit mjedisor.

Ndërkaq, U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së, Ylber Çitaku, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve në nivel vendor dhe qendror, duke theksuar se zbatimi i politikave të zhvillimit të qëndrueshëm kërkon koordinim të mirë administrativ, planifikim të integruar dhe kapacitete të përshtatshme profesionale.

Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi edhe vizita në terren, ku u njoh nga afër me disa nga projektet dhe ndërhyrjet e realizuara apo në proces të realizimit në Shkodër, përfshirë:

• Parkun e Hyrjes së Shkodrës;

• zonën turistike në aksin Hyrja Shkodër–Shirokë; dhe

• Muzeun e Lundrimit.

Këto vizita mundësuan njohjen nga afër me mënyrën e integrimit të planifikimit territorial, mjedisor, ekonomik dhe turistik në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm vendor.

Në kuadër të vizitës, nga të dyja palët u vlerësua rëndësia e shkëmbimit të praktikave të mira, ngritjes së kapaciteteve profesionale dhe krijimit të urave të reja të bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim përmirësimin e planifikimit dhe zbatimit të projekteve zhvillimore në nivel rajonal dhe lokal.

Përfaqësuesit e lartë të MZHR-së ishin pjesë aktive e takimeve institucionale, diskutimeve dhe vizitave në terren, duke përfaqësuar Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe duke kontribuar në shkëmbimin e drejtpërdrejtë të përvojave me përfaqësuesit e Bashkisë së Shkodrës.

Vizita studimore u përmbyll me vlerësimin e përbashkët se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm, Agjendës së Gjelbër dhe zhvillimit vendor paraqet një mundësi të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive dhe praktikave konkrete, në funksion të zhvillimit të rajoneve dhe komuniteteve.

Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet e përkushtuar për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe promovimin e praktikave që kontribuojnë në zhvillim të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës dhe të balancuar rajonal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors