Sot më datë 25.09.2026, Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) organizoi takim informues lidhur me formimin e Grupit Punues në nivel rajonal në Rajonin Zhvillimor Jug, i cili do të angazhohet në procesin e identifikimit të zonave me potencial për investime strategjike.
Qëllimi i takimit ishte informimi dhe koordinimi i akterëve relevantë në nivel rajonal, si dhe krijimi i një qasjeje të përbashkët në identifikimin e potencialeve, nevojave dhe prioriteteve investuese që mund të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe social të rajoneve.
Gjatë takimit u diskutua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe e përfshirjes së akterëve rajonalë në këtë proces, me synim që identifikimi i zonave me potencial strategjik të mbështetet në nevojat konkrete dhe përparësitë zhvillimore të secilit rajon.
Procesi i identifikimit të këtyre zonave synon të krijojë një bazë të strukturuar për orientimin më efikas të investimeve, promovimin e mundësive të reja zhvillimore dhe shfrytëzimin e potencialeve ekonomike të rajoneve të Kosovës.
Në kuadër të takimit, pjesëmarrësit u njoftuan gjithashtu për nisjen e procesit të brendimit të rajoneve zhvillimore, një iniciativë që synon krijimin dhe fuqizimin e një identiteti të veçantë, të qëndrueshëm dhe konkurrues për secilin rajon. Ky proces pritet të kontribuojë në promovimin e potencialeve ekonomike, kulturore, turistike dhe zhvillimore të rajoneve, duke rritur njëkohësisht dukshmërinë dhe atraktivitetin e tyre për investime dhe zhvillim të mëtejmë.
Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet e përkushtuar në avancimin e politikave dhe iniciativave që fuqizojnë zhvillimin rajonal të balancuar, bashkëpunimin ndërinstitucional dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik e social në të gjitha rajonet e Kosovës.