Zëvendësministri i parë i MZHR-së vizitoi Komunën e Podujevës

Sot më datë 25.09.2026, Zëvendësministri i parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR), z. Ali Dula, realizoi vizitë zyrtare në Komunën e Podujevës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përcjelljes nga afër të zbatimit të projekteve kapitale që realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe Komunës.

Gjatë vizitës, zëvendësministri z. Dula u prit nga Kryetari i Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi. Në kuadër të takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, rëndësinë e koordinimit institucional, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin socio-ekonomik. Kryetari Bulliqi e përshëndeti vizitën dhe vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.

Pas takimit në Komunë, përfaqësuesit institucionalë vizituan nga afër projektin kapital “Tregu i Gjelbër i Qytetit”, i cili realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Komunës së Podujevës.

Gjatë vizitës në terren, palët u njoftuan me ecurinë e realizimit të projektit dhe diskutuan për rëndësinë e përfundimit të tij. U theksua se investimet kanë rëndësi të veçantë për krijimin e kushteve më të mira për komunitetin dhe kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm socio-ekonomik në nivel lokal.

Zëvendësministri i parë, z. Ali Dula, ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vazhdimin e bashkëpunimit me komunat dhe mbështetjen e projekteve kapitale që adresojnë nevojat konkrete të qytetarëve dhe kontribuojnë në zhvillimin rajonal të balancuar.

Vizita u përmbyll me gatishmërinë e përbashkët për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e projekteve që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin lokal dhe në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Podujevës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors