Sot, më 1 tetor 2026, Zëvendësministri i Parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, z. Ali Dula, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, si i deleguar i Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, dhe në këtë cilësi përfaqëson Ministrinë e Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës.
Vizita realizohet me ftesë të Qeverisë së Republikës së Turqisë, përkatësisht Ministrisë së Industrisë dhe Teknologjisë, dhe zhvillohet në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit të Kosovës në TEKNOFEST, që po mbahet në qytetin e Şanlıurfës.
Gjatë vizitës, z. Dula u prit në takim nga Zëvendësministri i Industrisë dhe Teknologjisë i Republikës së Turqisë, z. Muhammet Kasım Gönüllü. Në cilësinë e të deleguarit të Ministrit Demiri, z. Dula përfaqësoi Ministrinë e Zhvillimit Rajonal në këtë takim, ku u diskutua për rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe avancimit të bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë, veçanërisht në fushat që lidhen me zhvillimin rajonal, teknologjinë, industrinë dhe zhvillimin ekonomik.
Pjesëmarrja e përfaqësuesit të MZHR-së në TEKNOFEST 2026 paraqet një mundësi të rëndësishme për njohjen me zhvillimet dhe inovacionet e reja teknologjike e industriale, si dhe për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave që mund të kontribuojnë në avancimin e politikave dhe nismave për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal.
Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë vazhdojnë të kenë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të ndërsjellë, ndërsa takime të tilla institucionale kontribuojnë në thellimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi.