Sot, më 02.10.2026, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Turqisë, Zëvendësministri i Parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Ali Dula, i deleguar nga Ministri z. Rasim Demiri, vizitoi TEKNOFEST-in, festivalin ndërkombëtar të teknologjisë dhe aviacionit që këtë vit po zhvillohet në qytetin e Şanlıurfës.
Gjatë vizitës, z. Dula vizitoi hapësirat ekspozuese dhe u njoh nga afër me projektet, produktet dhe zgjidhjet inovative të prezantuara në fusha të ndryshme të teknologjisë, përfshirë inteligjencën artificiale, robotikën, aviacionin, hapësirën dhe teknologjitë e avancuara.
TEKNOFEST përfaqëson një platformë të rëndësishme për promovimin e inovacionit dhe teknologjisë, duke bashkuar të rinj, studentë, studiues, universitete, institucione dhe kompani me qëllim të zhvillimit dhe promovimit të ideve dhe zgjidhjeve të reja teknologjike.
Me këtë rast, z. Dula vlerësoi përparimin e Turqisë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, duke theksuar rëndësinë e investimeve në dije, arsim, kërkim shkencor dhe zhvillim teknologjik.
Vizita në TEKNOFEST ofroi mundësi për t’u njohur me përvojat dhe praktikat e avancuara të Turqisë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, të cilat mund të shërbejnë si referencë dhe frymëzim për iniciativa të ngjashme në Kosovë.
Në kuadër të mandatit të saj, Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet e përkushtuar në nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm dhe të balancuar rajonal, fuqizimin e të rinjve dhe mbështetjen e iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin e potencialit njerëzor, inovacionit dhe konkurrueshmërisë ekonomike