Ministri Rasim Demiri për N1: Kosova synon hapjen e një Zyre të Interesave në Bosnjë dhe Hercegovinë për të avancuar bashkëpunimin në arsim, kulturë dhe ekonomi

16 nëntor 2026 | Sarajevë

Ministri i Zhvillimit Rajonal i Republikës së Kosovës, Rasim Demiri, në një intervistë për televizionin N1 të Sarajevës, ka prezantuar iniciativën për hapjen e një Zyre të Interesave të Kosovës në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila do të shërbente si adresë e drejtpërdrejtë për komunikim dhe bashkëpunim ndërmjet dy vendeve, pavarësisht mungesës së njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Bosnjë dhe Hercegovina.

Ministri Demiri theksoi se kjo zyrë do të krijonte mundësi konkrete për avancimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në arsim, kulturë, ekonomi dhe fusha të tjera me rëndësi për të dyja palët. Si shembull të një modeli të tillë bashkëpunimi, ai përmendi Greqinë, me të cilën Kosova ka zyra ndërlidhëse të interesave, pavarësisht se ky shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës, ministri Demiri vuri në pah lidhjet historike dhe njerëzore ndërmjet dy vendeve, si dhe rëndësinë e ndërtimit të urave të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Ai theksoi se njohja e realitetit të shtetësisë së Kosovës dhe avancimi i marrëdhënieve do të kontribuonin në rrugëtimin e përbashkët drejt integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Si një ndër pengesat kryesore në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, ministri identifikoi kufizimet e lirisë së lëvizjes dhe regjimin e vizave, të cilat, sipas tij, kanë ndikuar edhe në shkëmbimet akademike dhe mundësitë e studentëve nga Kosova për të studiuar në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai rikujtoi se në të kaluarën mbi 400 studentë nga Kosova vijonin studimet në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërsa aktualisht ky numër është zvogëluar në vetëm disa studentë.

Në këtë kontekst, ministri Demiri theksoi rëndësinë e zbatimit të marrëveshjes së arritur në kuadër të Procesit të Berlinit, duke rikujtuar se Kosova e ka ratifikuar marrëveshjen në Kuvend, ndërsa Bosnjë dhe Hercegovina ende nuk e ka përfunduar procedurën përkatëse.

Duke folur për komunitetin boshnjak në Kosovë, ministri Demiri theksoi kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, pjesëmarrjen në proceset e rëndësishme shtetformuese dhe angazhimin për ruajtjen e identitetit gjuhësor e kulturor. Ai veçoi veçanërisht vendosjen e mësimit në gjuhën boshnjake pas vitit 1999, si një hap me rëndësi të veçantë për komunitetin.

Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të viteve 2023–2024, të përmendura nga ministri, në Kosovë jetojnë rreth 28 mijë pjesëtarë të komunitetit boshnjak, të cilët përfaqësohen me tri ulëse të garantuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e komunitetit boshnjak në nivel lokal, veçanërisht në Komunën e Prizrenit, ku gjuha boshnjake ka statusin e gjuhës zyrtare.

Ministri Demiri foli edhe për situatën në pjesën veriore të Kosovës, duke vlerësuar se institucionet duhet të jenë gjithmonë të gatshme për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. Ai theksoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve dhe ruajtjes së paqes e stabilitetit për të gjithë qytetarët.

Gjatë qëndrimit katërditor në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku mori pjesë me ftesë të Rijasetit të Bashkësisë Islame, me rastin e ndarjes së menshurës reisul-ulemasë së sapozgjedhur Grabus, ministri Demiri zhvilloi edhe takime politike dhe institucionale. Në delegacionin nga Kosova ishin edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bahri Berisha, dhe këshilltari Çerim Bajrami.

Ministri bëri të ditur se Ministria e Zhvillimit Rajonal tashmë ka vendosur bashkëpunim me disa shtete, përfshirë Turqinë, Bullgarinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa në të ardhmen e afërt pritet të nënshkruhen memorandume bashkëpunimi edhe me Kroacinë dhe Slloveninë. Ai shprehu gatishmërinë që një bashkëpunim i tillë të zhvillohet edhe me Bosnjë dhe Hercegovinën, duke theksuar se, edhe në mungesë të një marrëveshjeje formale, duhet të gjenden mekanizma të përshtatshëm për realizimin e bashkëpunimit në interes të qytetarëve të të dyja vendeve.

Intervista e plotë e ministrit Rasim Demiri është publikuar në televizionin N1 të Sarajevës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors