Prizren, 21 nëntor 2026 – Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), në partneritet me UN-Habitat Kosova, po mban punëtorinë tre-ditore “Vlerësimi afat-mesëm i zbatimit të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020–2030 (deri në vitin 2027)”. Punëtoria zhvillohet nga 20 deri më 22 nëntor 2026 në Prizren.
Në punëtori marrin pjesë anëtarët e Grupit Punues për vlerësimin e Strategjisë. Grupi përbëhet nga përfaqësues të:
MZHR-së;
Zyrës së Kryeministrit, përkatësisht Zyrës për Bashkëpunim për Zhvillim dhe Zyrës për Planifikim Strategjik;
ministrive të linjës: Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë;
UN-Habitat Kosova;
Agjencive për Zhvillim Rajonal (AZHR).
Anëtar të Kabinetit të Ministrit.
Punëtorinë e hapi më 20 nëntor U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së, z. Ylber Çitaku. Ai theksoi se Strategjia është dokumenti kryesor i politikës së zhvillimit rajonal. Sipas tij, tani që jemi në gjysmë të rrugës, duhet të shohim me sinqeritet çka është arritur, ku ka ngecje dhe çka duhet ndryshuar që vizioni të arrihet deri në vitin 2030. “Vlerësimi afatmesëm nuk është formalitet dhe nuk është raport për arkiv”, u shpreh z. Çitaku. Ai shtoi se vlerësimi do të jetë baza për plotësim-ndryshimin e Strategjisë dhe për planifikimin e programeve dhe buxhetit në vitet në vijim. Z. Çitaku kërkoi nga pjesëmarrësit që vlerësimi të jetë kritik dhe i saktë. Më pas, kryesuesi i Grupit Punues, z. Arbnor Sadiku, prezantoi qëllimin e punëtorisë, agjendën dhe gjendjen e zbatimit të Strategjisë.
Dita e dytë filloi me fjalën e Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri. Ministri tha se pas miratimit të Ligjit për zhvillim rajonal të balancuar dhe akteve nënligjore, Kosova tani ka bazë për të punuar me plan, me mjete dhe me institucione. Ai theksoi se qëllimi është që qytetarët në të gjitha rajonet të kenë mundësi të barabarta. Vetëm këtë vit, në Programin për Zhvillim Rajonal kanë aplikuar 776 biznese. Sipas Ministrit, ky numër tregon besueshmërinë e programit, por edhe që nevojat janë shumë më të mëdha se mjetet në dispozicion. Ministri përmendi edhe ngritjen e Qendrave për Zhvillim Rajonal dhe forcimin e monitorimit të performancës së shtatë rajoneve zhvillimore. Ai e lidhi këtë proces me rrugëtimin drejt BE-së dhe me politikën e kohezionit. Ministri premtoi se gjetjet e vlerësimit do të trajtohen me seriozitet dhe do të jenë baza e plotësim-ndryshimit të Strategjisë.
Pastaj përfaqësuesit e UN-Habitat Kosova, znj. Besnike Kocani dhe z. Sami Stagova, prezantuan metodologjinë e vlerësimit. Metodologjia bazohet në kriteret dhe parimet e OECD-së, dhe përfshin edhe matricat për vlerësim. Pjesëmarrësit kanë filluar punën në tri grupe dhe po e vlerësojnë zbatimin e Strategjisë sipas gjashtë kritereve të OECD-së. Puna vazhdon në pesë grupe, me vlerësimin sipas dhjetë parimeve të OECD-së.
Punëtoria po zhvillohet sipas agjendës dhe përmbyllet më 22 nëntor me prezantimin e gjetjeve, konkluzionet dhe hapat e ardhshëm. Gjetjet do të ndahen me departamentet dhe kabinetet e Ministrisë. Drafti i Strategjisë së rishikuar do të kalojë në konsultim të brendshëm dhe publik.














