Me rastin e Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, zhvilloi sot një vizitë në kazermën „Lidhja e Prizrenit“ në Prizren, ku u prit nga komandanti i kazermës, major Petrit Loxha, zëvendëskomandanti, kapiten Enes Demiri, si dhe rreshter-majori i kompanisë, Isuf Shaqiri.
Gjatë vizitës, Ministri Demiri u njoftua nga afër me punën, aktivitetet dhe angazhimin e pjesëtarëve të Kompanisë së Deminimit, si dhe me kontributin e tyre në garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Vizita kishte për qëllim vazhdimin dhe forcimin e bashkëpunimit institucional, si dhe përcjelljen e urimeve me rastin e festave të Nëntorit dhe Ditës së Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Me këtë rast, Ministri Demiri shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për të gjithë pjesëtarët e FSK-së, duke i falënderuar për profesionalizmin, përkushtimin dhe shërbimin e tyre në funksion të sigurisë së qytetarëve dhe vendit.
Ai u uroi suksese të mëtejshme në përmbushjen e misionit të tyre, me nder, përgjegjësi dhe përkushtim.
Ministria e Zhvillimit Rajonal shpreh respektin dhe mirënjohjen për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me rastin e Ditës së sajë.












