Në kuadër të implementimit të projekteve nga “Thirrja Publike për mbështetje financiare të projekteve/programeve të OJQ-ve në avancimin e zhvillimit socio-ekonomik rajonal të balancuar”, Agjencia për Zhvillim Rajonal – Qendër, në kuadër të trajnimit me temën “Aplikimi dhe Menaxhimi i Fondeve të Bashkimit Evropian”, të financuar nga Ministria e Zhvillimit Rajonal, realizoi aktivitetin me fokus në identifikimin dhe zhvillimin e ideve të projekteve për zhvillimin ekonomik lokal, si dhe shqyrtimin e mundësive për financimin e tyre përmes programeve dhe mekanizmave të ndryshëm të Bashkimit Evropian.
Gjatë trajnimit janë trajtuar ide dhe mundësi konkrete për projekte që ndërlidhen me prioritetet dhe nevojat e komunave, përfshirë zhvillimin e bizneseve lokale dhe përpunimin e produkteve vendore, turizmin, aftësimin profesional dhe punësimin, digjitalizimin dhe ekonominë e gjelbër. Po ashtu, është diskutuar edhe mundësia e zhvillimit të projekteve të përbashkëta ndërmjet komunave të Rajonit Qendër, me qëllim të nxitjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit të balancuar ekonomik rajonal.
Në kuadër të aktiviteteve praktike, pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë të identifikojnë nevojat dhe problemet konkrete në komunat përkatëse, të formulojnë ide fillestare të projekteve, të përcaktojnë partnerët potencialë dhe të shqyrtojnë mundësitë për financimin e tyre nga fondet dhe programet e Bashkimit Evropian.
Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues nga komunat e Rajonit Qendër, ndërsa në kuadër të monitorimit të këtij aktiviteti morën pjesë edhe zyrtarët e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Kreshnik Uka dhe Xhevat Sefaj.
Ky aktivitet u realizua në Prishtinë, më datë 27.10.2026 dhe date 30.10.2026.


