Delegacioni i Kosovës në vizitë zyrtare në Qeverinë e Kantonit të Sarajevës

Një delegacion i Republikës së Kosovës, i kryesuar nga ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Qeverinë e Kantonit të Sarajevës, ku është pritur nga shefi i Zyrës për Diasporë të Qeverisë së Kantonit të Sarajevës, Emir Ibrahimagić, bashkëpunëtori i tij Edin Omerčić dhe këshilltarja profesionale në Kabinetin e Kryeministrit të Kantonit të Sarajevës, Dalila Zečić.

Në përbërje të delegacionit ishin edhe deputeti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Bahrim Šabani, si dhe këshilltari i lartë politik i ministrit Demiri, Ćerim Bajrami.

Gjatë takimit u diskutua për pozitën dhe nevojat e komunitetit boshnjak në Kosovë, ruajtjen dhe avancimin e identitetit të tij kombëtar, gjuhësor dhe kulturor, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit institucional ndërmjet Kantonit të Sarajevës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ministri Demiri shprehu mirënjohje të veçantë për donacionin e librave letrarë dhe të literaturës tjetër në gjuhën boshnjake, të realizuar nga Zyra për Diasporë e Qeverisë së Kantonit të Sarajevës në bashkëpunim me Institutin Boshnjak, i cili u dedikohet nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë.

Ai theksoi se iniciativa të tilla kanë rëndësi të veçantë për ruajtjen dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën boshnjake, veçanërisht duke pasur parasysh mungesën e literaturës së përshtatshme mësimore. Ministri Demiri shprehu shpresën që kjo nismë të shndërrohet në një aktivitet tradicional, i cili do të realizohet çdo vit, duke u siguruar nxënësve qasje të vazhdueshme në literaturë në gjuhën boshnjake.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua mundësive për përfshirjen e fëmijëve nga Kosova në shkollat verore që organizohen në Sarajevë, ndarjes së bursave për studentët e këtij komuniteti që dëshirojnë të studiojnë në Universitetin e Sarajevës, si dhe organizimit të seminareve dhe trajnimeve profesionale për mësimdhënësit e gjuhës boshnjake.

Pjesëmarrësit e takimit shprehën gatishmërinë e përbashkët për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit institucional, me synimin që nismat e diskutuara të konkretizohen në aktivitete të përbashkëta gjatë periudhës së ardhshme.

Fokusi i veçantë i bashkëpunimit të ardhshëm do të jetë në fushën e arsimit, mbështetjen e të rinjve, si dhe ruajtjen dhe promovimin e gjuhës boshnjake dhe identitetit kulturor të boshnjakëve në Kosovë.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors