Sot më datë 24.08.2026, Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, priti në zyrën e tij një delegacion mysafirësh nga Bosnja dhe Hercegovina, të përbërë nga Prof. Dr. Ahmed Adilović, Myfti i Travnikut, z. z. Ismir Karaga, Drejtor i TV5 me seli në Sarajevë, z. Nezim Halilović Muderis, ish-zyrtar i lartë në BI BeH dhe kolonel në pension i Ushtrisë së BiH, si dhe z. Harun Hodžić, major në pension i Ushtrisë së BiH.
Delegacioni është pjesë e një ekipi më të gjerë, i cili këtë vit ka zgjedhur Kosovën për realizimin e xhirimeve të serialit televiziv shumë të shikuar “Jedno smo”, të TV5.
Gjatë takimit, Ministri në detyrë, z. Demiri, i falënderoi mysafirët për vizitën e tyre në Kosovë, si dhe për vizitat e realizuara në komunitetet lokale boshnjake. Me këtë rast, ai i njoftoi të pranishmit edhe me fushëveprimin, përgjegjësitë dhe aktivitetet e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.
Nga ana e tyre, mysafirët falënderuan Ministrin në detyrë për pritjen dhe kohën e ndarë, duke prezantuar shkurtimisht qëllimin e vizitës së tyre në Kosovë, si dhe misionin dhe përmbajtjen e emisionit të tyre televiziv.
Gjatë bashkëbisedimit, ata shprehën mirënjohjen e tyre ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Kryeministrit për heqjen e njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës. Njëkohësisht, ata shprehën keqardhjen që heqja reciproke e regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdon të jetë e bllokuar në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në përfundim të takimit, të dyja palët shprehën gatishmërinë për avancimin e bashkëpunimit rajonal në të ardhmen në fusha me interes të përbashkët.