Prishtinë, 20 nëntor 2026 – Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës së Sllovenisë në Kosovë, z. Borut Blaj. Në takim morën pjesë edhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së, z. Ylber Çitaku, si dhe këshilltarët e Ministrit, z. Çerim Bajrami, z. Munir Jonuzi dhe z. Rejhan Elezi.
Ministri Demiri e uroi për mirëseardhje Ambasadorin Blaj dhe e njohu me misionin dhe vizionin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për një zhvillim të balancuar dhe të qëndrueshëm të rajoneve të Kosovës. Ai prezantoi programet kryesore të MZHR-së:
- investimet kapitale në komuna përmes PZHR-së;
- mbështetjen për bizneset përmes PZHRB-së;
- mbështetjen për organizatat joqeveritare.
Ambasadori Blaj shprehu gatishmërinë e Ambasadës së Sllovenisë për ta mbështetur bashkëpunimin në fushën e zhvillimit rajonal, brenda mundësive dhe kompetencave të saj. Duke pasur parasysh përvojën e Sllovenisë me programet dhe fondet e Bashkimit Evropian, veçanërisht me instrumentin TAIEX, ai shprehu gatishmërinë që Sllovenia ta ndihmojë MZHR-në edhe në këtë fushë.
Ambasadori njoftoi në muajin 23–24 shkurt 2027 do të organizohet një konferencë me pjesëmarrjen e një numri të madh bizneseve sllovene. Konferenca do të krijojë mundësi për lidhje biznes me biznes (B2B) me bizneset nga Kosova. Në takim u propozua dhe u pranua që MZHR të jetë pjesë e njërit prej katër paneleve të konferencës.
Në përfundim të takimit u dakordua që:
- MZHR do t’i dërgojë Ambasadës draftin e Memorandumit të Bashkëpunimit gjatë muajit dhjetor 2026;
- Ambasada do të ndihmojë në vendosjen e kontaktit me ministrinë homologe në Slloveni;
- MZHR do të marrë pjesë në një nga panelet e konferencës së biznesit, më 23–24 shkurt 2027;
- në vitin 2027 do të punohet për organizimin e një vizite studimore në Slloveni, për shkëmbimin e përvojave në fushën e zhvillimit rajonal.




