Ministri Demiri priti në takim Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna

Prishtinë, 29 shtator 2026 – Ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal (MZHR), z. Rasim Demiri, priti sot në takim Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), z. Lulzim Rafuna, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit, Ministri Demiri e njoftoi Kryetarin e OEK-së me historikun, mandatin, misionin, vizionin dhe fushëveprimtarinë e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, me theks të veçantë për mbështetjen që MZHR u ofron komunave të Republikës së Kosovës përmes investimeve në projekte kapitale, si dhe në mbështetjen e bizneseve dhe Organizatave të Shoqërisë Civile (OSHC) në kuadër të programeve të zhvillimit rajonal.

Kryetari i OEK-së, z. Lulzim Rafuna, e njoftoi Ministrin Demiri lidhur me Konferencën Rajonale, e planifikuar të mbahet më 8 tetor 2026 në Gjilan, duke i përcjellë ftesën për pjesëmarrje aktive dhe mbajtjen e fjalës së rastit.

Në këtë kuadër, z. Rafuna bëri të ditur se Universiteti “Kadri Zeka” është bashkëorganizator i konferencës, ndërsa aktiviteti mbështetet edhe nga komunat e rajonit – Gjilani, Kamenica dhe Vitia – si dhe nga Caritasi Zviceran.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet MZHR-së dhe Odës Ekonomike të Kosovës, veçanërisht në funksion të krijimit të mundësive të reja për bizneset dhe forcimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet rajoneve.

Në këtë drejtim, U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së, z. Ylber Çitaku, shprehu kënaqësinë për zhvillimin e këtij takimi dhe për gatishmërinë e shprehur nga Ministri Demiri dhe Kryetari Rafuna për bashkëpunim të mëtejshëm, ku veçoj idenë e Ministrit z. Demiri që në të ardhmen të organizohet një konferencë e përbashkët MZHR–OEK, ku do të mund të ftoheshin përfaqësues të bizneseve nga rajoni dhe partnerë ekonomikë nga vendet me të cilat MZHR ka memorandume bashkëpunimi, përfshirë Turqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe vende të tjera.

Gjatë diskutimit u evidentua gjithashtu se Oda Ekonomike e Kosovës, komunat e Rajonit Zhvillimor Lindje, Universiteti “Kadri Zeka” dhe Caritasi Zviceran janë partnerë institucionalë të MZHR-së, aktualë ose të mëparshëm, në iniciativa dhe aktivitete të ndryshme zhvillimore.

Takimi u zhvillua në frymën e bashkëpunimit institucional dhe partneritetit ndërmjet institucioneve publike, komunitetit të biznesit, institucioneve akademike dhe partnerëve zhvillimorë, me synim krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik dhe rajonal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors