Ministri Demiri vizitoi Qeverinë e Kantonit Zenica-Doboj në Bosnjë dhe Hercegovinë

Ministri i Zhvillimit Rajonal i Republikës së Kosovës, z. Rasim Demiri, me ftesë të ministrave të Qeverisë së Kantonit Zenica-Doboj, z. Adnan Šabani, Ministër i Rregullimit Hapësinor, Transportit dhe Komunikacionit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, dhe z. Samir Šibonjić, Ministër i Ekonomisë, zhvilloi një vizitë zyrtare në Qeverinë e këtij kantoni, me seli në Zenicë, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjatë takimit, ministri Demiri i informoi nikoqirët për organizimin institucional, fushëveprimin, përgjegjësitë dhe aktivitetet e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal të Republikës së Kosovës, si dhe shprehu gatishmërinë për vendosjen e bashkëpunimit të mundshëm institucional ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë bisedës u shkëmbyen gjithashtu informacione lidhur me organizimin dhe funksionimin e strukturave përgjegjëse për zhvillimin rajonal në nivel kantonal, federal dhe qendror në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Ministri Adnan Šabani prezantoi disa ide dhe iniciativa të rëndësishme në fushën e menaxhimit të mbeturinave dhe mbrojtjes së ajrit nga ndotja, duke theksuar edhe mbështetjen financiare dhe profesionale që ofrohet për këto projekte nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

Ndërkaq, ministri Samir Šibonjić theksoi rëndësinë e vizitave dhe kontakteve të ndërsjella, të cilat në të ardhmen mund të kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht përmes rritjes së shkëmbimit tregtar ndërmjet Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Kosovës.

Me këtë rast, ai ftoi përfaqësuesit e bizneseve nga Kosova që të vizitojnë Kantonin Zenica-Doboj dhe të marrin pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ekonomisë ZEPS, i cili do të mbahet nga 14 deri më 17 shtator 2027.

Në përfundim të takimit, palët u pajtuan për shkëmbimin e mëtejshëm të informacioneve dhe vazhdimin e komunikimit, me synim identifikimin e mundësive konkrete për bashkëpunim institucional dhe ekonomik.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors