Ministri i MZHR-së z. Rasim Demiri takon Shefen e Misionit të IOM-it në Kosovë: MZHR dhe IOM drejt projekteve të përbashkëta për diasporën dhe zhvillimin rajonal

Prishtinë, 09.11.2026 – Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, priti sot në takim pune Shefen e Misionit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion (IOM) në Kosovë, znj. Marian Benbow Pfisterer. Në takim morën pjesë edhe Zëvendësministri i Parë, z. Ali Dula, dhe U.D. Sekretari i Përgjithshëm, z. Ylber Çitaku.

Ministri Demiri e uroi znj. Benbow Pfisterer për detyrën e re dhe e njoftoi me mandatin dhe misionin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal. Ai paraqiti programet dhe aktivitetet që Ministria ka zbatuar që nga themelimi i saj, në funksion të zhvillimit të balancuar rajonal dhe të zvogëlimit të pabarazive ndërmjet rajoneve.

Në takim u shpreh vullneti i përbashkët për bashkëpunim në projekte konkrete, veçanërisht në dy fusha:

•             Rikthimi dhe riintegrimi i ish-studentëve të Kosovës që kanë studiuar jashtë vendit, përmes stimujve dhe mekanizmave të qëndrueshëm: reforma të bazuara në të dhëna, platformë për përputhjen e aftësive me nevojat e tregut të punës, bursa, si dhe mbështetje për punësim dhe sipërmarrje.

•             Përfshirja e investimeve dhe sipërmarrjes së diasporës në zhvillimin lokal dhe ekonomik, përmes fondeve lokale të zhvillimit, projekteve të përbashkëta komunë–diasporë dhe mbështetjes për bizneset vendore, me qëllim krijimin e vendeve të punës në rajone.

U ra dakord që bashkëpunimi të vazhdojë edhe përtej këtyre projekteve. MZHR do të përgatisë propozimet e projekteve, ndërsa IOM do të ofrojë mbështetje me ekspertizë, veçanërisht për aplikimet në programet IPA të Bashkimit Evropian.

Ministri Demiri falënderoi IOM-in për gatishmërinë dhe theksoi se diaspora dhe të rinjtë e kualifikuar janë potencial i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm të të gjitha rajoneve të Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors