Sot, më 22 shtator 2026, Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, priti në takim delegacionin nga Mali i Zi, të përbërë nga z. Mirsad Nurković, nënkryetar i Kuvendit, dhe znj. Fedisa Dacić, zëvendësambasadore në Ambasadën e Malit të Zi në Kosovë.
Në takim morën pjesë gjithashtu znj. Erza Haraçia, në cilësinë e zëvendësueses së U.D. Sekretarit të Përgjithshëm si dhe z. Amer Karće, Këshilltar i Ministrit.
Takimi u zhvillua në frymën e dialogut institucional dhe të bashkëpunimit të ndërsjellë, me fokus në mundësitë për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.
Gjatë bashkëbisedimit u theksua rëndësia e forcimit të komunikimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet institucioneve, si dhe krijimit të hapësirave për iniciativa me interes të përbashkët, veçanërisht në fushën e zhvillimit rajonal.
Palët vlerësuan se bashkëpunimi i qëndrueshëm institucional dhe shkëmbimi i praktikave dhe përvojave përbëjnë një bazë të rëndësishme për identifikimin dhe zhvillimin e mundësive të reja të bashkëpunimit.
Bashkëbiseduesit vlerësuan në mënyrë të veçantë nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet ministrave të dy ministrive përgjegjëse për zhvillimin rajonal të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, të nënshkruar një javë më parë në Prishtinë, duke e konsideruar atë një hap të rëndësishëm drejt konkretizimit dhe fuqizimit të mëtejmë të bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në përmbyllje të takimit, palët shprehën gatishmërinë për vazhdimin e komunikimit institucional dhe avancimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, në funksion të zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve.