Ministri i Zhvillimit Rajonal viziton Dhomën e Tregtisë së Malit të Zi

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, të Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të, ministri Rasim Demiri, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, sipas agjendës së vizitës, vizitoi edhe Dhomën e Tregtisë së Malit të Zi.

Ministri Demiri shoqërohej nga këshilltarët e tij, Ćerim Bajrami dhe Amer Karče, si dhe nga Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha, dhe Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë, Gazmend Abrashi.

Takimi u organizua nga presidentja e Dhomës së Tregtisë, Nisa Drakić, së bashku me drejtorin e Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Dušan Radonjić, dhe këshilltarin e presidentes, Dragoljub Bulatović.

Ministri Demiri, duke shprehur mirënjohje për pritjen, theksoi se: “Shifra prej mbi 80 milionë eurosh e tregtisë së ndërsjellë gjatë vitit të kaluar, në të cilën Kosova ka një suficit pak më të lartë, dhe që është rritur me 10% krahasuar me vitin 2024, dëshmon se mund të bëjmë më shumë dhe edhe më mirë.

Gjithashtu, rreth 90 mijë turistë nga Kosova kanë qëndruar në Mal të Zi vitin e kaluar, dhe besojmë se kjo shifër do të ishte edhe më e lartë po të mos ekzistonte një problem kronik – pritjet e gjata në pikat kufitare.”

Konsulli i Nderit z. Abrashi, theksoi tre prioritete të bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës: “Lehtësimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave përmes menaxhimit të integruar të pikave kufitare, ndërtimi i urës mbi lumin Buna ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe lidhja rajonale me gazsjellësin.”

Nga ana tjetër, presidentja e Dhomës së Tregtisë, znj. Drakić, theksoi: “Dhoma e Tregtisë e Malit të Zi është një institucion me traditë shekullore që mbron interesat e komunitetit të biznesit. Ekziston potencial i madh që vendet tona të avancojnë bashkëpunimin ekonomik. Pajtohemi se shkëmbimi tregtar është i mirë, por ka hapësirë që ai të rritet edhe më tej. Propozojmë organizimin e një Forumi të Biznesit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës në Prishtinë, në vjeshtë të këtij viti. Si vende të vogla, duhet të investojmë në zgjidhje inovative dhe të tërheqim investime të përbashkëta për zhvillimin ekonomik.”

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors