Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, priti në takim Ambasadorin e Shqipërisë, prof. Petrit Malaj

Sot me date 30.10. 2026, Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Demiri, priti në takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, prof. Petrit Malaj, ku diskutuan mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në fushën e zhvillimit rajonal.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësministri i MZHR-së, z. Ali Dula, përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë, këshilltarët politikë të ministrit dhe zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.

Gjatë takimit, Ministri Demiri e njoftoi Ambasadorin lidhur me fushëveprimtarinë, misionin dhe objektivat e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, duke prezantuar programet dhe masat që institucioni zbaton në funksion të promovimit të zhvillimit të balancuar socio-ekonomik rajonal në Republikën e Kosovës.

Një ndër temat kryesore të diskutimit ishte iniciativa për formalizimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve përmes një Memorandumi Bashkëpunimi në fushën e zhvillimit rajonal, i cili do të përcaktonte objektiva të qarta, aktivitete konkrete dhe përgjegjësi institucionale. Po ashtu fo te mundesohet edhe shkëmbimin e përvojave në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit rajonal, me fokus të veçantë në rajonet kufitare, organizimin e vizitave studimore, trajnimeve dhe shkëmbimin e ekspertëve e praktikave të mira.

Ambasadori Malaj shprehu gatishmërinë për të mbështetur këtë iniciativë dhe për të kontribuar në avancimin e bashkëpunimit, duke u zotuar që si hap fillestar të ndihmojë në organizimin e një vizite pune në Tiranë, me qëllim zhvillimin e takimeve me institucionet përkatëse që merren me zhvillimin rajonal në Shqipëri.

Në përfundim, të dyja palët shprehën gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin institucional, me synim konkretizimin e kësaj iniciative dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve në fushën e zhvillimit rajonal.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors