Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR), më 07 dhe 08 gusht 2026 mbajti punëtori dyditore lidhur me procesin e shqyrtimit, plotësimit dhe ndryshimit të Rregullores Nr. 02/2024 për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Punëtorinë e hapi U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së z. Ylber Çitaku, i cili përshëndeti anëtarët e grupit punues dhe iu uroi punë të mbarë dhe suksese në realizimin e objektivave të punëtorisë. Z. Çitaku theksoi rëndësinë e angazhimit dhe kontributit të grupit punues në avancimin e organizimit të brendshëm dhe përshtatjen e strukturës organizative me nevojat funksionale të Ministrisë.
Qëllimi i punëtorisë ishte prezantimi, shqyrtimi dhe diskutimi i propozimeve për plotësim-ndryshimin e Rregullores Nr. 04/2024, me synim avancimin e strukturës organizative, harmonizimin e sistematizimit të vendeve të punës dhe rritjen e efikasitetit dhe funksionalitetit institucional.
Gjatë dy ditëve të punës, pjesëmarrësit analizuan strukturën aktuale organizative, identifikuan nevojat për ndryshime dhe shqyrtuan propozimet për sistematizimin e vendeve të punës dhe funksionet e njësive organizative. Gjithashtu, u diskutuan propozimet për ndryshimet në strukturën organizative dhe u harmonizuan qëndrimet për hapat e mëtejmë.
Në përfundim të punëtorisë, u prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet përfundimtare, të cilat do të shërbejnë për finalizimin e propozimeve për plotësim-ndryshimin e Rregullores dhe avancimin e mëtejmë të organizimit të brendshëm të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal.