Sot më 30 qershor 2026, Ministria e Zhvillimit Rajonal mbajti takim koordinues lidhur me procesin e themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje.
Takimi u kryesua nga Zëvendësministri i Parë në detyrë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, z. Ali Dula, i cili njëherësh udhëheq procesin e themelimit të qendrave për zhvillim rajonal. Qëllimi i takimit ishte koordinimi i aktiviteteve ndërinstitucionale për avancimin e procesit të themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje.
Në takim morën pjesë Kryetari i Komunës së Vitisë z. Sokol Haliti, Kryetari i Komunës së Kamenicës z.Kadri Rrahimaj, Kryetari i Komunës së Parteshit z. Dragan Petković, Nënkryetari i Komunës së Kllokotit z. Refik Halili, Zëvendësuesja e U.D. Sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, znj. Arta Ahmeti Xhylani, Drejtori i AZHR Lindje z. Agim Zeka, drejtorë të drejtorive komunale, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë.
Gjatë takimit U.D. Drejtoresha e DPKZHR-së znj. Kreshnike Arifi, prezantoi procesin e themelimit të Qendrave për Zhvillim Rajonal, duke paraqitur kornizën institucionale, objektivat dhe rolin e tyre në promovimin e zhvillimit të balancuar rajonal. Ndërkaq, znj. Shyhrete Kastrati, Drejtoreshë e DPAR-së, prezantoi aktivitetet dhe hapat e nevojshëm për zbatimin e Udhëzuesit për Identifikimin e Zonave për Investime Strategjike dhe Studimin e Fizibilitetit për Zhvillim Socio-Ekonomik Rajonal, me fokus në identifikimin e potencialeve zhvillimore dhe krijimin e kushteve për tërheqjen e investimeve.
Në kuadër të takimit u diskutuan hapat e mëtejmë për funksionalizimin e Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje, si dhe rëndësia e saj në koordinimin e prioriteteve zhvillimore, hartimin e planeve operative rajonale, zhvillimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe mobilizimin e fondeve dhe investimeve për rajonin.
Në përfundim të takimit, pjesëmarrësit shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkomunal në funksion të themelimit dhe funksionalizimit të Qendrës për Zhvillim Rajonal Lindje, duke e vlerësuar këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm drejt avancimit të zhvillimit rajonal të balancuar dhe të qëndrueshëm.