Gjilan, 8 tetor 2026 – Ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, mori pjesë sot në Forumin Ekonomik të Anamoravës 2026, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe Universiteti Publik “Kadri Zeka”
Ministri Demiri në këtë forum u shoqërua nga U.D. Sekretari i Përgjithshëm i MZHR-së, z. Ylber Çitaku, si dhe nga këshilltarët e Ministrit, z. Rejhan Elezi dhe z. Amer Karçe.
Në këtë forum, i cili bashkoi përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale, komunitetit të biznesit, diasporës, universiteteve dhe partnerëve zhvillimorë, Ministri Demiri theksoi rëndësinë e zhvillimit të balancuar rajonal dhe të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike, sektorit privat dhe diasporës.
Në fjalën e tij, Ministri Demiri vuri në pah potencialet e Anamoravës në bujqësi dhe përpunim, tregti, prodhim, turizëm dhe kapital njerëzor, duke theksuar se qëllimi i përbashkët duhet të jetë shndërrimi i këtyre potencialeve në investime, vende të reja pune dhe mundësi për të rinjtë.
“Zhvillimi rajonal fillon nga rajoni. Zhvillimi i balancuar i vendit nuk mund të ndërtohet vetëm nga qendra. Ai ndërtohet në rajone, me komunat, me bizneset vendore, me institucionet akademike dhe me njerëzit që jetojnë dhe investojnë këtu”, tha Ministri Demiri.
Ai prezantoi edhe rolin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal në mbështetjen e zhvillimit ekonomik përmes investimeve në projekte kapitale në komuna, programeve të zhvillimit rajonal, përfshirë Programin për Zhvillim Rajonal dhe Bujqësi, si dhe përmes koordinimit dhe partneritetit me komunat, institucionet qendrore, bizneset, universitetet dhe partnerët ndërkombëtarë.
Duke folur për bashkëpunimin me komunitetin e biznesit, Ministri Demiri theksoi se MZHR-ja synon ta thellojë bashkëpunimin me Odën Ekonomike të Kosovës, për krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe forcimin e lidhjeve ekonomike ndërmjet rajoneve.
Në këtë drejtim, ai bëri të ditur se është propozuar organizimi në të ardhmen i një konference të përbashkët MZHR–OEK, ku bizneset nga rajonet e Kosovës do të kenë mundësi të takohen me partnerë ekonomikë nga vendet me të cilat Ministria ka memorandume bashkëpunimi, përfshirë Turqinë, Bullgarinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe rolit të diasporës, e cila, përveç remitancave, përfaqëson një burim të rëndësishëm të kapitalit, njohurive dhe lidhjeve me tregjet ndërkombëtare. Në këtë kuadër, Ministri mirëpriti prezantimin e platformës B2B, e cila synon të krijojë lidhje të drejtpërdrejta ndërmjet bizneseve vendore dhe bizneseve të diasporës.
Forumi përfshiu diskutime mbi potencialin ekonomik dhe mundësitë për investime në komunat e Anamoravës, prezantimin e platformës B2B dhe takime ndërmjet bizneseve vendore, përfaqësuesve të diasporës, institucioneve dhe akterëve të tjerë relevantë.
Në përmbyllje, Ministri Demiri uroi që diskutimet dhe takimet e forumit të konkretizohen në partneritete, projekte të përbashkëta dhe investime të reja në Anamoravë, duke ritheksuar se MZHR-ja do të mbetet partner i përkushtuar i komunave, bizneseve dhe të gjithë atyre që investojnë në zhvillimin e rajoneve të Kosovës.
Forumi Ekonomik i Anamoravës 2026 është organizuar në kuadër të projektit HOME – Holistic Opportunities for Migrant and Diaspora Engagement, të zbatuar nga Caritas Switzerland dhe të financuar nga Qeveria e Principatës së Lihtenshtajnit.