MZHR nënshkruan kontratat me 70 përfitues të Programit për Zhvillim Rajonal të Balansuar 2026

Prishtinë, 13 gusht 2026 – Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) ka organizuar ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me 70 përfituesit e Programit për Zhvillim Rajonal të Balansuar (PZHRB) për vitin 2026, një nga programet kryesore të Ministrisë për mbështetjen e zhvillimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja në të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, të pranishmit dhe përfituesit i përshëndeti Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të balancuar rajonal dhe mbështetjes së iniciativave që krijojnë ndikim konkret në komunitetet lokale.

Ministri Demiri theksoi se ceremonia e sotme shënon më shumë sesa nënshkrimin formal të kontratave.

“Sot nuk po nënshkruajmë vetëm kontrata. Sot po i japim mbështetje konkrete 70 ideve, projekteve dhe iniciativave, të cilat presim të sjellin ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetet ku do të realizohen.”

Ai ritheksoi se Programi për Zhvillim Rajonal të Balansuar bazohet në parimin që zhvillimi ekonomik dhe shoqëror duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i shpërndarë në mënyrë të balancuar në të gjitha rajonet e vendit.

“Çdo rajon, çdo komunë dhe çdo komunitet ka potencialet e veta ekonomike, njerëzore dhe zhvillimore. Detyra jonë si institucione është që këto potenciale t’i identifikojmë, t’i mbështesim dhe t’u krijojmë hapësirën e nevojshme për t’u zhvilluar”, u shpreh Ministri Demiri.

Duke folur për procesin e përzgjedhjes së projekteve, Ministri në detyrë theksoi se interesimi për Programin PZHRB 2026 ka qenë i madh, me 776 aplikime të pranuara nga të gjitha rajonet e Kosovës, ndërsa projektet përfituese janë përzgjedhur pas një procesi konkurrues dhe vlerësimi, në përputhje me kriteret e përcaktuara.

Ai u bëri thirrje përfituesve që mbështetjen e marrë ta shndërrojnë në rezultate konkrete dhe projekte të suksesshme.

“Suksesi i një programi të tillë nuk matet vetëm me numrin e kontratave të nënshkruara. Suksesi matet me bizneset që rriten, me shërbimet që përmirësohen, me investimet që gjenerohen dhe, mbi të gjitha, me ndikimin që këto projekte kanë në jetën e qytetarëve tanë”, theksoi ai.

Në fjalën e tij, Ministri Demiri falënderoi stafin profesional të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, komisionet vlerësuese dhe partnerët institucionalë për kontributin e dhënë në realizimin e këtij programi.

Një falënderim të veçantë ai i shprehu edhe Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, për mbështetjen ndaj politikave të zhvillimit rajonal dhe për praninë e tij në ceremoninë e nënshkrimit.

Kontratat me 70 përfituesit e Programit për Zhvillim Rajonal të Balansuar 2026 i nënshkroi Zëvendësministri i Zhvillimit Rajonal, z. Bashkim Krasniqi, së bashku me secilin përfitues veç e veç.

Në ceremoni morën pjesë gjithashtu Zëvendësministri z. Ali Dula, Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm në MZHR, z. Ylber Çitaku, anëtarë të Kabinetit të Ministrit, drejtues dhe zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, si dhe përfituesit e programit.

Me mbështetjen e 70 projekteve përfituese, MZHR synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të rajoneve të Kosovës, duke nxitur iniciativa të reja, investime, zhvillimin e bizneseve dhe krijimin e mundësive të reja për qytetarët.

Ministria e Zhvillimit Rajonal do të vazhdojë angazhimin e saj për ndërtimin e politikave dhe programeve që kontribuojnë në një zhvillim më të balancuar, më gjithëpërfshirës dhe me perspektivë më të mirë për të gjitha rajonet e Republikës së Kosovës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors