Sot, më 7 gusht 2026, në kuadër të ditës së dytë të punëtorisë për themelimin e Qendrave për Zhvillim Rajonal, Ministria e Zhvillimit Rajonal, në bashkëpunim me Agjencitë për Zhvillim Rajonal, zhvilloi diskutime të fokusuara në hapat e mëtejmë të procesit.
Dita e dytë e punëtorisë u hap nga Zëvendësministri i parë në detyrë i MZhR-së, Ali Dula, i cili vlerësoi progresin e arritur gjatë punëtorisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm për funksionalizimin e Qendrave për Zhvillim Rajonal.
Gjatë punimeve të sotme, fokusi ishte në diskutimin e rolit të Agjencive për Zhvillim Rajonal në mbështetjen e këtij procesi, si dhe në shqyrtimin e modaliteteve për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet institucioneve dhe partnerëve të përfshirë.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit punuan në draftimin e dokumenteve pasuese për zbatimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Ndërkomunal, me qëllim krijimin e bazës së nevojshme për funksionalizimin e Qendrave për Zhvillim Rajonal.
Punimet u përmbyllën me finalizimin e dokumenteve të punës, dakordimin për hapat e ardhshëm dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet institucioneve përkatëse, duke synuar një zbatim të koordinuar dhe efikas të aktiviteteve në fazën e ardhshme të procesit.
Përmes kësaj punëtorie, MZhR riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e zhvillimit rajonal dhe thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me synim krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm që kontribuojnë në zhvillimin e balancuar të të gjitha rajoneve të vendit.
Në takim përveç përfaqësuesve të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, morën pjesë edhe përfaqësues të Agjencive për Zhvillim Rajonal.