Ministria e Zhvillimit Rajonal ka përmbyllur procesin e thirrjes publike për Masën 1 – Mbështetje financiare për komunat në investime kapitale, në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar (PZHRB) 2026–2027.
Në kuadër të këtij procesi janë nënshkruar marrëveshjet e mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projekteve me komunat përfituese, si në vijim:
- “Ndërtimi i parkut urban në lagjen Dardania” – Komuna e Prizrenit;
- “Rikonstruimi i shtresës së asfaltit të rrugës që lidh fshatrat Reshtan, Semetisht, Bershanc dhe Nishor” – Komuna e Suharekës;
- “Ndërtimi i ndriçimit publik në fshatrat Vitomiricë, Zllapek, Ruhot, Nakëll, Poqest dhe Katuni i Ri” – Komuna e Pejës;
- “Rregullimi i parkut në fshatin Petrovë” – Komuna e Shtimes;
- “Krijimi dhe renovimi i stacioneve dhe vendpritjeve për autobusët e transportit publik të udhëtarëve” – Komuna e Gjakovës;
- “Ndërtimi i sallës së sporteve” – Komuna e Junikut;
- “Revitalizimi i hapësirave agroturistike dhe trajtimi i peizazhit rural” – Komuna e Rahovecit;
- “Ndërtimi i shtigjeve të ecjes” – Komuna e Vushtrrisë.
Këto investime synojnë përmirësimin e infrastrukturës lokale, rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, zhvillimin e turizmit, promovimin e mobilitetit dhe krijimin e hapësirave më funksionale për qytetarët. Përmes mbështetjes së këtyre projekteve, MZHR vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe të balancuar rajonal, duke përmirësuar mirëqenien dhe cilësinë e jetës së qytetarëve në të gjitha rajonet e vendit.