Më 11 shtator 2026, Ministria e Zhvillimit Rajonal (MZHR) zhvilloi takimin e parë të Grupit Punues për rishikimin e Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020–2030.
Takimin e hapi kryesuesi i Grupit Punues, z. Arbnor Sadiku, Udhëheqës i Divizionit për Integrime Evropiane, i cili prezantoi qëllimin dhe rëndësinë e procesit të rishikimit të Strategjisë, si dhe rolin e Grupit Punues në këtë proces.
Gjatë takimit, anëtarët e Grupit Punues, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, ministrive të linjës, Universitetit të Prishtinës, Agjencive për Zhvillim Rajonal (AZHR) dhe MZHR-së, diskutuan për procesin e rishikimit të Strategjisë, duke u fokusuar në vlerësimin e zbatimit të saj deri më tani, identifikimin e sfidave dhe nevojave aktuale, si dhe përcaktimin e prioriteteve për zhvillimin e mëtejshëm rajonal.
Në kuadër të takimit u shqyrtuan edhe çështjet që lidhen me përditësimin e objektivave, masave dhe veprimeve të Strategjisë, me synim që dokumenti i rishikuar të pasqyrojë zhvillimet, sfidat dhe nevojat aktuale të rajoneve zhvillimore ekonomike të Kosovës.
Anëtarët e Grupit Punues kontribuuan me propozime dhe rekomandime konkrete, të cilat do të shërbejnë si bazë për vazhdimin e punës dhe avancimin e procesit të rishikimit të Strategjisë.
Grupi Punues dhe të gjithë akterët relevantë, do të vazhdojnë më punë përmes komenteve dhe takimeve të radhës në arritjen me kohë synimin – përfundimin e procesit të rishikimit të Strategjisë për Zhvillim Rajonal 2020–2030 dhe avancimin e politikave për zhvillim të qëndrueshëm dhe të balancuar rajonal.