Sot, më 26.10.2026, z. Ćerim Bajrami, Shef i Stafit Politik dhe Këshilltar i Lartë Politik i Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Rasim Demiri, dhe z. Izet Velija, Shef i Kabinetit të Ministrit, zhvilluan një takim zyrtar në Ambasadën e Republikës së Kroacisë në Prishtinë, ku u pritën nga Këshilltari i Ambasadës, z. Mirko Volarević.
Takimi u zhvillua me ftesë të Ambasadës së Republikës së Kroacisë, në kuadër të iniciativës së nisur së fundmi për avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve.
Gjatë takimit, diskutimet u përqendruan kryesisht në iniciativën e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR) të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përgatitjen dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bashkëpunimi me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të Bashkimit Evropian të Republikës së Kroacisë, të ngjashme me marrëveshjen e nënshkruar së fundmi me ministrinë përkatëse të Qeverisë së Malit të Zi.
Me këtë rast, përfaqësuesit e MZHR-së përcollën edhe ftesën verbale të Ministrit Rasim Demiri për një vizitë zyrtare të Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.
Këshilltari i Ambasadës, z. Mirko Volarević, e mirëpriti iniciativën dhe shprehu gatishmërinë që propozimin për bashkëpunim ta përcjellë përmes kanaleve zyrtare tek Ambasadorja, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane, si dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Fondeve të Bashkimit Evropian e Republikës së Kroacisë.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përfshirjes së MZHR-së në aktivitetet e organizuara nga Ambasada e Republikës së Kroacisë në Kosovë. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e MZHR-së shprehën gatishmërinë për ta ftuar Ambasadën Kroate në aktivitetet dhe ngjarjet e organizuara nga Ministria.
Në përfundim të takimit, palët u dakorduan për vazhdimin e komunikimit dhe shkëmbimit të informacioneve, me qëllim të konkretizimit të iniciativave të përbashkëta dhe forcimit të bashkëpunimit institucional. Po ashtu, u diskutua realizimi i një vizite zyrtare të Ambasadores së Republikës së Kroacisë në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal.