Sot me datë 08 tetor 2026 – Zëvendësministri i Parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal z. Ali Dula, mori pjesë sot në festivalin “Patate Fest”, të mbajtur në Vushtrri, një ngjarje që promovon prodhimet vendore, traditën bujqësore, ndërmarrësinë dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Në kuadër të këtij festivali, Ministria e Zhvillimit Rajonal mbështeti pjesëmarrjen e disa bizneseve të udhëhequra nga gratë e rajonit të Mitrovicës dhe Vushtrrisë, pjesëmarrja e të cilave u organizua përmes Agjencisë për Zhvillim Rajonal – Veri (AZhR Veri).
Në ceremoninë solemne të hapjes së festivalit morën pjesë edhe Ministri i Bujqësisë, z. Armend Muja, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Ferit Idrizi, si dhe përfaqësues të institucioneve, bizneseve dhe akterë të tjerë të zhvillimit ekonomik.
Pjesëmarrja e MZhR-së në këtë aktivitet pasqyron rëndësinë që Ministria i kushton fuqizimit ekonomik të grave, mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, promovimit të produkteve vendore dhe krijimit të mundësive të reja për zhvillim të qëndrueshëm rajonal.
Festivale të tilla përbëjnë një mundësi të rëndësishme për promovimin e potencialit ekonomik të rajoneve, zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve dhe institucioneve, si dhe rritjen e dukshmërisë së produkteve dhe shërbimeve vendore në treg.
Ministria e Zhvillimit Rajonal mbetet e përkushtuar në mbështetjen e iniciativave që nxisin ndërmarrësinë, fuqizojnë rolin e grave në ekonomi dhe kontribuojnë në zhvillimin e balancuar socio-ekonomik të të gjitha rajoneve të Republikës së Kosovës.