Zëvendësministri i parë i MZHR-së vizitoi Komunën e Kamenicës

Më 14.10.2026, Zëvendësministri i parë i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal (MZHR), z. Ali Dula, realizoi vizitë zyrtare në Komunën e Kamenicës, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe përcjelljes nga afër të zbatimit të projekteve kapitale që realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë dhe Komunës.

Gjatë vizitës, zëvendësministri Dula u prit nga Kryetari i Komunës së Kamenicës, z. Kadri Rahimaj. Në kuadër të takimit u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, rëndësinë e koordinimit institucional, si dhe për realizimin e projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin socio-ekonomik të komunës. Kryetari Rahimaj vlerësoi bashkëpunimin me Ministrinë e Zhvillimit Rajonal dhe rëndësinë e mbështetjes institucionale për realizimin e projekteve në interes të qytetarëve.

Pas takimit në Komunë, përfaqësuesit institucionalë vizituan nga afër projektin kapital “Parku i Aventurave” dhe “Parku Teknologjik”, të cilat realizohen në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Komunës së Kamenicës.

Gjatë vizitës në terren, palët u njoftuan me ecurinë e realizimit të projekteve dhe diskutuan për rëndësinë e përfundimit të tyre. U theksua se këto investime kanë rëndësi të veçantë për krijimin e hapësirave të reja për rekreacion, inovacion dhe zhvillim teknologjik, si dhe për nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm socio-ekonomik në nivel lokal.

Zëvendësministri i parë, z. Ali Dula, ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal për vazhdimin e bashkëpunimit me komunat dhe mbështetjen e projekteve kapitale që adresojnë nevojat konkrete të qytetarëve dhe kontribuojnë në zhvillimin rajonal të balancuar.

Vizita u përmbyll me riafirmimin e gatishmërisë së përbashkët për vazhdimin e koordinimit ndërinstitucional dhe avancimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin lokal dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Komunës së Kamenicës.

Generic selectors
Vetem tekstet e njejta
Kërkoni në titull
Kërkoni në përmbajtje
Post Type Selectors