Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Shërbimit Publik, më 19 qershor 2026, u organizua ceremonia solemne e ndarjes së mirënjohjeve për zyrtarët e dalluar të institucioneve publike të Republikës së Kosovës.
Në këtë ngjarje morën pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministri i Ministrisë për Zhvillim Rajonal, Rasim Demiri.
Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë ishte nderimi me mirënjohje i znj. Emine Hoti, Udhëheqëse e Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në Ministrinë për Zhvillim Rajonal, e cila u vlerësua për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në avancimin e shërbimit publik dhe realizimin e objektivave institucionale. Mirënjohja iu dorëzua nga Kryeministri Kurti, si shenjë vlerësimi për rezultatet e arritura dhe angazhimin e saj shembullor në ushtrimin e detyrave zyrtare.
Ministria për Zhvillim Rajonal e konsideron këtë vlerësim një dëshmi të profesionalizmit dhe cilësisë së stafit të saj, si dhe një motivim për vazhdimin e punës me integritet, përgjegjësi dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve.
Në ceremoni mori pjesë edhe Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë për Zhvillim Rajonal, z. Ylber Çitaku, i cili uroi znj. Hoti për këtë arritje të rëndësishme dhe shprehu mirënjohjen për kontributin e saj në forcimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë.